Qysh me zhdoganu makinën?

Për zhdoganimin e veturës, duhet të ofroheni te Pika Doganore më e afërt (psh. Prizren, Pejë, Podujevë, Terminalet në Prishtinë, etj).

Nëse vetura është importuar me qëllim të zhdoganimit, me targa të përkohshme të lëshuara nga vendi eksportues, duhet të keni një faturë të shitblerjes së veturës, deklaratën eksportuese nga vendi eksportues, librezën e qarkullimit dhe një dokument identifikimi.

Nëse vetura nuk është importuar me qëllim të shitblerjes apo zhdoganimit, por shitblerja ka ndodhur pasi që vetura veçse ka hyrë në Kosovë, atëherë duhet të keni faturë apo kontratë shitblerjeje por edhe nëse nuk keni një të tillë mjafton Libreza e Qarkullimit të shtetit nga i cili ka ardhur vetura, si dhe dokumenti i identifikimit.

dogana e kosoves

Pasi të jeni ofruar te pika doganore më e afërt, e parkoni veturën në terminalin doganor, dhe dokumentet i dorëzoni tek agjentët doganor (kompani private) për përgaditjen e dokumenteve, të cilat pastaj dorëzohen tek zyrtarët doganor.

Në bazë të llojit të veturës, vëllimit, vitit të prodhimit, nga ana e oficerëve doganor bëhet pranimi i dokumenteve dhe vlerësimi i veturës, e cila vlerë bëhet me katalogun që posedon Dogana e Kosovës. Vlera e deklaruar, varësisht çmimit të paraqitur dhe gjendjes faktike pranohet apo nuk pranohet. Në rast se vlera faturale nuk pranohet atëherë bëhet ri-vlerësimi i veturës me anë të katalogut.

Pas vlerësimit dhe pranimit të dokumentit të paraqitur, bëhet shiqimi i veturës dhe krahasimi i të dhënave të paraqitura me ato faktike (nr i shasisë, modeli i veturës, ngjyra, numri i dyerve dhe detaje të tjera).

Pasiqe gjithçka është në rregull, ju lëshohet një fletëpagesë e cila tregon detyrimet (taksat) që duhet paguar për zhdoganimin e veturës. Pas kësaj procedure ju ende nuk do të mund të merrni dokumentin i cili dëshmon se keni kryer procedurat e zhdoganimit, pasi që ju duhet të shkoni edhe në QAK – Qendra e Automjeteve të Kosovës, e cila gjendet ne fshatin Miradi e Epërme – Fushë Kosovë, ku atje duhet të kryhet homologimi i veturës.

Nëse vetura i plotëson kushtet e zhdoganimit, nga QAK ju lëshohet nje certifikatë, me të cilën duhet të ktheheni edhe njëherë në zyrën doganore ku keni filluar procedurën e zhdoganimit për të marur dokumentin unik doganor, dhe për të përfunduar procedurat doganore.

Nëse vetura nuk është importuar me qëllim të shitblerjes apo zhdoganimit, por shitblerja ka ndodhur pasi që vetura veçse ka hyrë në Kosovë, atëherë së pari duhet të shkohet ne QAK, të mirret dokumenti që dëshmon se vetura i plotëson kushtet e zhdoganimit e pastaj të paraqiteni tek pika më e afërt për vazhdimin e procedurës së zhdoganimit të veturës (pjesa që cekëm më lartë).

VËREJTJE: Vetura nuk duhet të jetë më e vjetër se 13 vite (p.sh. në vitin 2014 nuk mund të zhdoganohet vetura e vitit 2000 apo më e vjetër)