Qysh me i ditë efektet e shikimit të gjatë të televizionit?

Studimi i shkencëtarëve nga qendra mjekësore e Universitetit Ohio, pjesërisht i financuar edhe nga ministria e mbrojtjes së SHBA-së, duhet t’i bëjë të reflektojnë njerëzit e natës.

Hulumtuesit i kanë ekspozuar minjtë në dritën e zbehtë dhe kanë vënë re ndryshime në sjelljen dhe trurin e tyre, simptoma jashtëzakonisht të ngjashme si tek njerëzit depresivë.

Rritja e ekspozimit në dritën artificiale në 50 vitet e fundit përkon me rritjen e shkallës së depresionit, veçanërisht te femrat të cilat janë dyfish më të prira ndaj kësaj gjendje se sa meshkujt.

“Rezultatet te minjtë përkojnë me atë çka dimë për depresionin tek njerëzit”, ka thënë Tracy Bedroisan, e cila ka udhëhequr studimin e publikuar në revistën “Molecular Psychiatry”.

Minjtë në eksperiment për katër javë i janë ekspozuar dritës së dobët gjatë natës, të ngjashme me atë, të cilën e krijon ekrani i TV-së në dhomën e errësuar, ndërsa rezultatet janë krahasuar me grupin kontrollues, i cili i është ekspozuar ciklit normal të dritës dhe territ. Grupi eksperimentues pastaj dy apo katër javë i është ekspozuar ciklit normal dhe pastaj është testuar.

Rezultatet kanë treguar që minjtë kanë qenë më pak aktiv dhe kanë pasur më pak interesim se sa zakonisht për pirjen e ujit të ëmbëlsuar, çka janë dy simptoma të krahasueshme me shenjat e depresionit te njerëzit.

Janë shënuar edhe ngjashmëri biologjike kur hulumtuesit kanë vërtetuar ndryshimet në pjesën e trurit të hipokampus që përputhen me ato tek njerëzit e sëmurë nga depresioni.

Simptomat e depresionit ishin megjithatë, reversibile, kanë vërtetuar hulumtuesit në bazë të rezultateve te minjtë të cilët i janë kthyer ciklit normal të dritës dhe territ.