Ballakume Elbasani

Perberesit:

  • 1 kg sheqer,
  • 400 g tëlyn (gjalp),
  • 7-8 kokrra vezë,
  • 1 kg miell misri i situr,
  • një dorë miell gruri,
  • 1 fixhan kafeje qumësht,
  • një enë e madhe bakri e pakallajisur ose përndryshe prej qelqi.

Gatimi:

Tretet tëlyni dhe lihet te fundërrojnë kripërat e tij. Pastaj tëlyni i vakët dhe pa kripërat e rëna në fund rrihet me sheqerin deri sa të bëhet një masë e bardhë. E mira është që rrahja e masës të bëhet me dorë, sepse përfundimi i përzjerjes ndjehet kur të duket se prek fije me dorën që po përzien masën e krijuar. Ndërkohë vezët janë përzjerë me qumështin më parë dhe shtohen dalëngadalë tek sheqeri i rrahur, duke vazhduar përzjerjen e këtij të fundit.

Pastaj hidhet mielli dalëngadalë duke vazhduar perzjerjen me dorë. Mielli i grurit hidhet nga fundi. Duhet patur kujdes me hedhjen e miellit, sepse mielli i tepërt i bën të forta ballakumet pas pjekjes. Prandaj, pasi është harxhuar sasia e paracaktuar e miellit, brumi lihet 15-30 minuta në qetësi pavarësisht se ai mund të duket i qullët. Kjo kohë mjafton që grimcat e miellit të thithin lagështirën e brumit të qullët. Nëse shihet se brumi ka mbetur përsëri si i qullët, atëhere atij mund ti shtohet edhe një dorë miell. Kështu me këtë brume ballakumet nuk do të shtrihen gjatë pjekjes.

Pjekja: Tepsiat lyhen me pak tëlyn dhe spërkaten me pak miell. Pastaj, nga brumi tashmë i gatuar, formohen me dorë gurabiet me madhësi jo të vogël dhe vendosen mbi tepsi të larguara nga njëra tjetra. Paraprakisht furra është nxehur në 170oC. Futet tepsia në furrë dhe lihet aty derisa ballkumet të formojnë pak kore (jo të skuqen). Nxirret pastaj tepsia nga furra dhe lihet të ftohet, me qëllim që ballakumet të shkëputen lehtësisht nga ajo.

Kjo eshte arkiva e uebfaqes tonë, keto artikuj janë të vjeter dhe nuk jemi duke i mirembajtur. Ju lutem na vizitoni në platformën e re QYSH.ME