Qysh Me Organizu Ditelindjen e Femijes?

Organizimi i mirë edhe në këtë rast, është gjysma e punës, prandaj duhet që me kohë të filloni me përgatitjet.

Në fillim, duke u nisur nga dëshirat e fëmijës dhe nga mundësitë që keni, vendosni se ku do të festoni. Zakonisht fëmijët insistojnë që ta festojnë ditëlindjen jashtë shtëpie, sidomos nëse edhe ndonjë shok a shoqe e tyre e ka bërë këtë më parë.

Ditëlindjet nuk janë dasma

Fëmijët janë të prirë që të ‘shtyhen’ me moshatarët e tyre, gjë që në këtë rast d.m.th. se, nëse ndonjë shok a shoqe e tyre më parë ka festuar ditëlindjen në ndonjë lokal, atëherë edhe ata do të insistojnë një gjë të tillë. Por, kjo kushton.

Nëse nuk jeni në gjendje që fëmijës t’ia plotësoni këtë dëshirë, thuajani haptazi, por duke ia shpjeguar pse. Shumicën e rasteve, nëse nuk bërtisni, por e ruani gjakftohtësinë, fëmijët kuptojnë dhe pajtohen me idenë se nuk mund ta festojnë ditëlindjen jashtë shtëpisë.

Një gjë tjetër, që duhet bërë, është përpilimi i listës së të ftuarve. Psikologët thonë se fëmija duhet të marrë pjesë aktive në këtë pjesë të organizimit të festës, meqë fundja, kjo është festë e tij.

Ditëlindja e bebeve dhe fëmijëve preadoleshentë

Për fat të mirë, bebet nuk hidhërohen edhe nëse nuk i pyetni se kë duan ta ftojnë. Deri në ditëlindjen e tretë, ftojeni kë të doni. Por, pas moshës tri vjeçare, fëmijët fillojnë që të bëhen të vetëdijshëm se çka ndodhë rreth tyre.

Kur bëhet fjalë për atë se çka duhet të blini prej ushqimeve, apo çka duhet të përgatitni, mos hezitoni që ta kërkoni ndihmën e të afërmve, apo edhe të fqinjave, natyrisht duke ‘ua kthyer borxhin’, pra duke u ndihmuar kur ato organizojnë festimin e ditëlindjes së fëmijëve të tyre.

Nëse nuk e organizoni mirë kohën, atëherë fëmijët parashkollorë dhe ata të klasave të ulëta shumë shpejt mund të mërziten. Mund ta përgatitni ndonjë kuis të diturisë, ndonjë shfaqje të vogël, ndonjë lojë…

Tërë kjo do të duhej të zgjaste dy, maksimalisht tri orë.

Çka me adoleshentët

Nëse keni fëmijë adoleshentë, atëherë atyre ditëlindjet mund t’ua festoni deri në pesë orë, e nëse fëmija juaj është maturant, atëherë festa e ditëlindjes mund të zgjasë edhe më shumë.

Nëse fëmijët adoleshentë duan që ta festojnë ditëlindjen e tyre në shtëpi, atëherë merreni këtë si gjë të mirë, meqë kjo tregon se ata ndihen më së miri në shtëpi dhe se nuk kanë frikë a turp nga takimi i shokëve të tyre me prindërit e tij. Por, nuk është gjë e lehtë që t’ua lëshoni shtëpinë në mëshirë një grupi fëmijësh, e ka të ngjarë që të ankohen edhe fqinjët, prandaj me kohë ndërmerrni të gjitha masat parandaluese.

Për shembull, mund t’i njoftoni fqinjët se fëmija juaj do ta festojë ditëlindjen atë ditë, prandaj nëse është e mundur, që të kenë mirëkuptim për zhurmën eventuale. Po ashtu, duhet t’i largoni nga ambienti ku do të mbahet festa, të gjitha gjësendet që thyhen, apo dëmtohen lehtë. Më mirë sa nuk janë thyer, sepse më vonë nuk mund të bëni gjë.

Sa u përket pijeve alkoolike, për fat të mirë te ne ende nuk është traditë që ato të përdoren me të madhe, por nëse fëmija juaj insiston që të ketë pije alkoolike në festën e ditëlindjes së tij, mos përtoni që t’ia shpjegoni të gjitha dëmet që sjell pirja e alkoolit, si dhe që, nëse dehet, ai në fakt nuk do të marrë pjesë në festimin e ditëlindjes së vet, meqë nuk do t’i kujtohet asgjë.

Adoleshentët më shumë preferojnë që gjatë festimit të ditëlindjes, prindërit e tyre të mos jenë në shtëpi, ‘për të mos i penguar’. Por, nëse ua merr mendja se më mirë është që të jeni aty, atëherë rrini, por duke e përcjellë ngjarjen nga largësia, duke mos e penguar festën.

Burimi: http://www.ikub.al/GJENIU_CATEGORY/1104270047/Article-Si-te-organizoni-ditelindjen-e-femijes-.aspx

Qysh me pasuru edukimin e Fëmiut?

Qysh me pergatit Fëmiun për ditën e parë në Shkollë apo Çerdhe?