Qysh Me Mposhte Lodhjen Pranverore dhe Veshtiresite e Tjera?

Ekspertët nuk e mohojnë ndikimin e ndryshimit të kohës në shumë sëmundjet, madje edhe në vetëvrasje të shpeshta dhe në fatkeqësi komunikacioni, ndërkaq që moti dihet edhe për alergjinë ndaj pluhurit të luleve. Këshillat tona do t’ju ndihmojnë që më lehtë ta kaloni pranverën. Alergjia ndaj pluhurit të luleve

Ka njerëz të cilët reagojnë ndaj kohës. Njëra ndër reagimet drejtpërdrejt të shkaktuara nga ndryshimet e klimës gjithsesi është alergjia ndaj pluhurit të luleve… Njerëzit alergjikë ndaj pluhurit… me ardhjen e pranverës e dinë që papandehur do t’i lotojnë sytë, do t’i skuqen dhe do t’i kruhen qerpikët, tërë ditën do të teshtijnë, por as dhjetëra facoleta nuk do t’u ndihmojnë që të ndalin turfullimin.
Alergjikët me përvojë të cilat për çdo pranverë luftojnë me të njëjtin problem, me siguri do të provojnë disa mjete mjekësore, siç janë antihistaminikët, pikat për hundë, akupunktura, hemopatia apo hiposensibiliacioni (futja e alergjenit në mënyrë që në trup të krijohen antitrupat).

Qysh me i ndihmu vetvetes?

Gjatë ditëve me erëra të forta duhet vënë syze, nuk duhet tharë rrobat në ajër për shkak të grimcave të pluhurit të cilat do të mund të ngjiten për to, nuk duhet fjetur afër dritares së hapur dhe në orët e mëngjesit, në qoftë se është e mundshme, duhet qëndruar në lokale të mbyllura. Në qoftë se jeni të detyruar, me gjithë alergjinë që keni, të niseni për në rrugë, para udhëtimit duhet të mësoni mirë për vegjetacionin dhe për kushtet atmosferike në vendin ku shkoni.

Hipotensioni – tensioni i ulët

Ndryshimet e temperaturës, nxehtësia dhe zhegu gjithashtu ndikojnë në shëndetin. Tek personat me tension të ulët pengesat janë shumë të shprehura, por do të keqësohen edhe më shumë gjatë kohës së nxehtë dhe me lagështi.
Keqësimi te personat me tension të ulët shkaktohet për shkak të zgjerimit të enëve të gjakut në organizëm. Shkaktohen mjegullimi i syve, marramendja, rrahje e fuqishme e zemrës, zhurma dhe oshëtima e veshëve, pastaj djersitje e ftohtë.
Në qoftë se keni probleme me tensionin, më mirë është të kërkoni ndihmën e mjekut i cili do t’ ju përshkruaj tabletat për ngushtimin e enëve të gjakut. Mirëpo, mos harroni që ato tableta duhet t’i merrni vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut.

Qysh me i ndihmu vetvetes?

Kurrë mos u ngritin shpejt nga shtrati, mos qëndroni gjatë në një vend, mos iu ekspozoni nxehtësisë së madhe dhe mos e teproni me aktivitete trupore – shëtitni, notoni ngadalë dhe vozitni biçikletën. Veç kësaj, mirë kujdesuni për ushqimin: shmanguni ushqimit të yndyrshëm, pini shumë lëngje, hani më shumë pemë, të cilat përmbajnë kalium (banane, pjeshka, agrume) dhe perime të pasura me vitaminën C (spinaqi, sallata, speci, karota…)

I thati në lugth

Në pranverë dhe në vjeshtë aktivizohet i thati në lugth. Edhe kjo dukuri mund të sqarohet me ndryshimet e shpeshta të cikloneve dhe të anticikloneve. Simptomat e kësaj sëmundjeje dhe keqësimi i saj janë shumë të pakëndshme: paraqitet ndjenja e djegies në gavrën e barkut, shkaktohet thartinë, ndërkaq dhembjet shpesh paraqiten edhe kur i sëmuri është i uritur.

Qysh me i ndihmu vetvetes?

Shmanguni ushqimit dhe pijeve të cilat përmbajnë kofeinë dhe alkool, pushoni të pini duhan, ushqimin merreni në sasi të vogla, por në racione të shpeshta, kufizojeni marrjen e erëzave (posaçërisht biberit). Nuk ka nevojë që nga ushqimi të hiqni bukën, mirëpo është mirë të hani bukën taze por të pjekur mirë. Nga mishrat lirisht mund të hani mish pule (por pa lëkurë), mish viçi apo mështjerre (më mirë në qoftë se është i zier), ndërkaq perimet gjithashtu duhet t’i zieni dhe sipas nevojës duhet t’i kulloni në sitë.

Pengesat respiratore

Astmatikët dhe të sëmurët kronikë nga bronkitisi gjithashtu janë shumë të ndjeshëm në ndryshimin e temperaturës dhe të lagështisë, ndërkaq kur është fjala për të sëmurët kronikë, ata duhet të dinë mirë terapinë mjekësore.

Qysh me i ndihmu vetvetes?

Pos terapisë së përshkruar, të sëmurëve të tillë u rekomandojmë që të sigurojnë ionizator, i cili krijon dhe pasuron ajrin e ngjeshur me ione gjë që vepron volitshëm në organizëm. Volitshëm do të ndikojnë edhe pijet e ngrohta, aq më parë çaji nga sherbela me mjaltë.

Migrena

Migrena është kokëdhembje periodike në lidhje të ngushtë me ndryshimin e shtypjes së ajrit. Migrenën do ta identifikoni sipas dhembjeve pulsive pas syve apo në ballë, të shoqëruar me mundime, ndjeshmëri ndaj dritës dhe zërave, e ndonjëherë edhe dështimi i fushës së të pamurit (fotografia do të duket pjesërisht e shtrembëruar).
Për të zbutur dhembjen, do t’ju ndihmojnë analgjetikët nga grupi i ergotaminave apo antireumatikëve josteroidë, ndërkaq tretmani i akupunkturës do të zbusë dhe ulë intensitetin e kokëdhembjes.

Qysh me i ndihmu vetvetes?

Migrena shpesh është e lidhur edhe me ushqimin, p.sh. konsumimi i alkoolit, çokollatës dhe të disa llojeve të djathërave të yndyrshëm. Andaj, shmanguni alkoolit dhe prodhimeve të tilla ushqimore, aq më parë kur shkaktohen ndryshime të motit dhe të shtypjes së ajrit.

Lodhja pranverore

Ndryshimet klimatike nuk ndikojnë vetëm në keqësimin e disa sëmundjeve, por edhe në gjendjen e përgjithshme të organizmit. Prandaj në pranverë shpesh jemi të lodhur pa kurrfarë mundimesh të mëdha. Në qoftë se ndjeheni i lodhur menjëherë pas zgjimit? Jeni të padisponuar, keni depresion dhe jeni apatikë, ndërkaq forca e koncentrimit ju është gjithnjë e më e dobët? Atëherë mund të jeni të sigurt se “vuani nga pranvera”.

Qysh me i ndihmu vetvetes?

Në qoftë se i keni simptomat e sipërpërmendura, nuk keni nevojë të humbni kohë duke shkuar te mjeku. Do t’ju ndihmojë ushqimi i llojllojshëm i pasur me vitamina dhe minerale, hani sa më shumë pemë dhe perime të freskëta, pini çaj bimësh, qumësht dhe prodhime qumështore, zvogëlojeni pirjen e alkoolit dhe të duhanit, ndërkaq do t’ju ndihmojë edhe në qoftë se qëndroni në ajër të pastër duke bërë ndonjë ushtrim të lehtë trupor. Në qoftë se gjatë dimrit nuk keni marrë preparate multivitaminoze – akoma nuk është vonë për to.

Pika në tru

Te paraqitja e rrymave të ajrit të ngrohtë organizmi, i mësuar në kushte të ftohta, duhet shpejt të përshtatet në temperaturën e lartë të pranverës. Në atë periudhë është shënuar edhe numër i madh i sulmeve në tru.

Qysh me i ndihmu vetvetes?

Pikën në tru mund të pengohet vetëm në atë mënyrë kur eliminojmë faktorët e rrezikut: trashësinë, tensionin e lartë të gjakut. Kujdesuni që nga ushqimi të eliminoni yndyrën dhe materiet e dëmshme. Më shumë lëvizni dhe zvogëlojeni pirjen e duhanit apo më mirë është që ta braktisni fare.

Reumatizma dhe sëmundjet e sistemit lokomotor

Te ndryshimet e befasishme të shtypjes së ajrit, posaçërisht para shtrëngatave, në atmosferë shtohet numri i ioneve pozitive. Ky shtim shkakton keqësimin te njerëzit të cilët vuajnë nga reumatizmi dhe nga sëmundjet e tjera të sistemit lokomotorik.

Qysh me i ndihmu vetvetes?

Në situatën e tillë preventiva më e mirë as që ekziston, mirëpo gjendja në organizëm mund të lehtësohet me gjimnastikë të lehtë të përditshme e cila forcon muskujt, por do t’ju bëjë mirë edhe masazhi.
Në kohën e dhembjeve merrni antireumatikë josteroidë.

Fatkeqësitë e komunikacionit dhe depresionet

Në kohën e ndryshimeve të shtypjes së ajrit është vërejtur një numër i madh i fatkeqësive të komunikacionit, depresioni është më i shprehur, ndërkaq numri i vetëvrasjeve gjithashtu është në rritje.

Qysh me i ndihmu vetvetes?

Në qoftë se jeni ndër ata që dinë të përcjellin organizmin e vet dhe që më parë parandjenjë se si do të reagojnë ndaj kohës, shmanguni udhëtimeve të gjata. Në qoftë se bieni në depresion, mos lejoni që ai t’ju përfshijë të tërin, por dilni nga shtëpia, shoqërohuni me njerëz, gjeni ndonjë pune apo hobi.

Qysh me u liru nga stresi?

Qysh me i ditë faktorët që ndikojnë në peshën tuaj?