Cka permban iPhone i RI 4S?

Konferenca e prezantimit të modelit të ri të kompanisë Apple, atij iPhone 4S, në këto momente ka përfunduar.

Në fjalën hyrëse të prezantimit të modelit të ri të iPhone, shefi ekzekutiv i Apple, Phil Schiller, tha se 4S është më i hollë dhe me ekran më ndjeshëm në prekje se modeli paraprak.

Për ta prezantuar grafikën e iPhone 4S, në skenë doli Mike Capps, president i “Epic Games”, duke demonstruar lojën Infinity Blade 2, të shfaqur në një ekran të madh, e cila është shumë më e fuqishme në grafikë sesa versioni i parë.

Ndërkaq, edhe procesori i ri i iPhone është 2 herë më i shpejtë sesa ai i vjetri, në iPhone4, duke zëvendësuar atë të vjetrin A4, me të riun A5, me dy bërthama. Gjithashtu, në konferencë u prezantua edhe bateria e iPhone-it të ri, që thuhet se do të jetë shumë më jetëgjatë sesa ajo e vjetra. Jetëgjatësia e saj do të jetë: 8 orë telefonatë apo 40 orë duke dëgjuar muzikë. Për këtë mund të thuhet se është një përmirësim me vend.

Apple gjithashtu njofton se në modelin e ri të telefonit të saj të mençur, iPhone 4S, do të jenë të integruara dy antena, duke mundësuar kështu kalimin e sistemit pa-tela (wireless) nga njëra, në antenën tjetër “për ta përmirësuar edhe më tej cilësinë e telefonatës”.

Megjithatë, edhe pse teknikisht ky model nuk është 4G, të dhënat do të shkëmbehen shumë më shpejtë sesa në modelet paraprake.

Kamera e modelit të ri është 8 megapikselë, me rezolucion 3264×2448, që nënkupton 60% më shumë pikselë sesa në kamerën e iPhone 4. Edhe sensori i ri i integruar në 4S është shumë më i mirë, thonë drejtuesit e Apple.

“Droid Bionic i nevojiten 3.7 sekonda për ta bërë një foto, ndërkaq iPhone 4S-it vetëm 1.1 sekondë”, thonë drejtuesit e Apple, duke bërë kështu një krahasim me për shpejtësinë e shkrepjes së fotografisë.

Gjithashtu edhe kualiteti i videove është përmirësuar dukshëm, në 1080p HD.

Sistemi i kontrollimit të zërit, i quajtur “Siri”, thuhet se është një asistent shumë inteligjent për t’ju dalë në ndihmë.

“Është asistenti juaj inteligjent që iu ndihmon të kryeni gjëra vetëm duke kërkuar”, thonë drejtuesit e Apple, duke prezantuar kështu një demo version të këtij sistemi të kontrollimit të zërit.

E gjitha që duhet të bëni, për të manovruar me opsionin “Siri”, është të mbani të shtypur butonin “home”, dhe të flisni: “Si është koha sot” (kuptohet, në anglisht), dhe rezultati do të iu shfaqet në ekran. Ky funksion do t’iu ndihmojë shumë, nëse keni një agjendë të ngjeshur ditore, pasi pothuajse çdo komandë që mund të preket në ekranin e iPhone 4S, mundet edhe të komandohet me zë, si për shembull, mesazhet, kalendari, shënimet, etj.

Ndërkaq, pothuajse në fund të konferencës, u zbuluan edhe çmimet e modelit të ri, që vijnë në 3 opsione: 16Gb 199 dollarë, 32Gb 299 dollarë, ndërkaq, kësaj radhe i shtohet edhe opsioni me 64GB që do të kushtojë 399 dollarë.

Ndryshe, shitja e 4S do të nisë më 14 tetor, ndërkaq para-porositë do të nisin më 7 tetor.

E çka është edhe më interesant, në konferencë u tha se iPhone 4 i vjetër do të shitet tani për vetëm 99 dollarë, modeli 8GB, ndërkaq, diçka edhe më sensacionale është se modeli më i vjetër, ai 3GS,versioni 8Gb, do të jepet falas.

Në këtë konferencë, përveç iPhone-it të ri, u prezantuan edhe iPod-ët iPod Nano, iPod Touch si dhe iPod Shuffle, që, për dallim prej modeleve të kaluara, këto modele do të jenë paksa më të lira. Ndërkaq, për iPod-in klasik nuk u tha asgjë. /zëri/

Qysh me kriju restore në iPhone?